Nga Sebastian Zonja
Evropa është në esencë të saj shumatore autenticitetesh të vendeve që e përbëjnë. Në thelb, të gjitha këto autenticitete, i përbashkon gjykimi kritik.
Në Shqipëri, po të bëjmë një skicë të thjeshtë, fatkeqësisht, do të gjejmë se shprehja më e përhapur është “si bën bota”. Këtë shprehje apo formë mendimi e konkuron “autenticiteti etnokomunist apo pellazg”.
Për shembull:
1912 – 1970 – mendimi kryesor ishte të bëheshim si bota
1970 – 1990 – mendimi kryesor ishte të behemi si vetja, si do Partia, një formë që po e quajmë etnokomunizëm
1990 – 2020 – të bëhemi si bota
2020 – … – të bëhemi si bota (elita politike) ndeshet me zejtarët e patriotizmit që duan të bëhen si vetja, pellazgë (zejtarë të gjuhësisë dhe historisë)
Forma e mendimit që ka mbajtur për një kohë të gjatë elita politike për t’u bërë si bota nuk tregon asgjë. Bota nuk ka një normë mbi të cilën funksionon. Po të thuash se duam të bëhemi si Gjermania apo Franca, po. Sepse po merr për bazë një vend në Evropë që kërkon t’i ngjasosh. Por brenda botës është edhe Namibia dhe Laosi. Çfarë kuptimi ka po bëhemi si bota kur demokracia dhe kapitalizmi francez dallojnë nga ai gjerman? Këtë përgjigje nuk na e kanë dhënë ithtarët e tezës të bëhemi si bota. Shumë prej tyre nuk kanë asnjë specifikë të vetën në mendim apo gjykim, por janë shumatore e risive më të fundit nëpër revista pa vlerë, të dorës së fundit, në Perëndim. Me të drejtë këta mund t’i cilësojmë firaunë.
Përball firaunëve janë faraonët. Ky është një grupim i shfaqur së fundmi në kërkim të rrënjëve të veta. Sipas tyre bota është shqiptare dhe ne jemi autentikë, ashtu siç kemi qenë përpara 6000 vjetësh. Këta janë faraonët, sepse thonë se ky emër vjen nga shqipja se do të thotë “fara jonë”.
Nëse çdo gjë është shqiptare, atëherë cili është problemi po fole serbisht apo greqisht, për sa kohë kjo i bie të jetë shqipe e modernizuar?
Faraonët janë konservatorë dhe kërkojnë të ruajnë autenticitetin. Sërish, në këtë rast, pyetja është cilin autenticitet? Logjika se gjithçka është shqiptare në botë nuk ka kuptim, pasi ti je burimor dhe të gjithë janë të ngjashëm me ty. Çfarë autenticiteti kërkon?
Si përfundim;
Fakti që brenda një shekulli kemi lëvizur kaq shumë në ekstreme të mendimit socio-politik – si bota\si vetja – tregon mungesën e reflektimit dhe ndalesës.
Pa ndaluar për të pyetur veten se ku duam të shkojmë, çfarë duam të bëjmë dhe si t’ja mbrrijmë, as bota, as zejtarët e patriotizmit, as firaunët, as faraonët, nuk do na japin asnjë përgjigjë.


