Doktori, Kulla Betonit dhe heshtja e Eunukëve të “opozitës së vërtetë”

Një ndër parqet e fundit në Tiranë, lulishtja pas Pallatit të Operas dhe Baletit në qendër të Tiranës do të shkatërrohet. Në këtë hapësirë të gjelbër do të ndërtohet një kullë prej 185 metrash, duke shënuar kështu edhe një rekord për ndërtesën më të lartë të Tiranës.

Kompania ndërtuese do të jetë Nova Construction 2012, ndërsa studio arkitekturore daneze Cebra ka ideuar ndërtesën me 58 kate mbi tokë dhe 7 të tjera nën tokë.

Për zhdukjen e këtij parku, e vetmja lëvizje politike që po proteston është ajo ‘Lëvizjes Bashkë’ e drejtuar nga Arlind Qori, që do të mbajë sot një protestë në këtë park.

“Tiranës po i zhduket një nga parqet e fundit, ai që shtrihet midis pallateve 9-Katëshe dhe Teatrit të Operës dhe Baletit. Dhuna e betonit nuk ka të ndalur. Pushtetarë të korruptuar dhe oligarkë të pangishëm po na lenë pa një prej hapësirave të fundit publike e të gjelbra që i kanë mbetur qytetit. Po ne, qytetarët e Tiranës, jemi më të fuqishëm se pushteti dhe miliardat e tyre”, njoftoi ndër të tjera Lëvizja Bashkë për protestën që do të zhvillojë sot pasdite.

Interesant është fakti, që ajo që e cilëson veten si opozita e vërtetë, e kemi fjalën për “Rithemelimin” e Sali Berishës po hesht. Kjo e fundit që reagon për çdo gjë të mundshme, që nga hajdutët e xhepave e deri te reparti i Zall Herrit, është në heshtje totale për zhdukjen e lulishtes pas TOB.

Asnjë nga deputetët e opozitës nuk ka bërë asnjë deklaratë denoncuese për ndërtimin e kullës “përbindësh”. Madje duke bërë sikur ky fakt nuk ekziston, ata vazhdojnë thirrjet prej papagalli që të merren vetëm me inceneratorët, por jo me këtë kullë që po zhduk një hapësirë tjetër të gjelbër në Tiranë.

Jo vetëm kaq. Por edhe mediat që “Rithemelimi” financon dhe i ka të vetat nuk kanë shkruar asnjë rresht dhe nuk kanë transmetuar asnjë kronikë rreth “përbindëshit” që do të ngrihet në Tiranë.

Gojët e liga thonë që mes aksionerëve të kësaj kulle janë dhe oligarkë të “Rithemelimit”, madje që vetë “Foltorja” ka pjesën e saj në këtë kullë. Në këtë mënyrë mund të kuptohet dhe heshtja totale që vjen nga kjo parti. Por nëse kjo është e vërtetë, ky fakt tregon dhe njëherë që opozita e këtij vendi jo vetëm që është e kapur nga mazhoranca që i jep llokma nga pasuritë e vendit, por tregon që kjo opozitë është kthyer dhe në gjobvënëse. Nëse i jep ‘racionin’ e saj, qëndron në heshtje, nëse jo, nxjerr ‘dhëmbët’ të kafshojë/vox

Latest articles

Related articles