Qeveria ka nisur procesin për të zëvendësuar disa ambasadorë të cilëve u mbaron mandati.
Muhamed Veliu për Top Channel raporton se pritet që në presidencë gjatë kësaj jave të mbërrijë lista me propozimet e grupit të parë të ambasadorëve të rinj.
Ilir Gjoni aktualisht ambasador në Zvicër propozohet të shkojë ambasador në NATO pas daljes në pension të ambasadorit aktual Visho Ajazi Lika.
Vendin e Gjonit propozohet ta zërë analisti, Mustafa Nano i cili me parë ka qenë pjesë e shërbimit diplomatik.
Vendin e lënë bosh të ambasadorit në Emiratet e Bashkuara nga Ermal Dredha tashmë kryebashkiak i Vlorës, propozohet për tu zëvendësuar nga Ridi Kurtezi aktualisht ambasador në Malin e Zi.
Ambasadorja e Shqipërisë në Holandë Adia Sakiqi, pritet te emërohet ambasadore në një tjetër shtet në BE.
Ish nënkryetarja e kuvendit Vasilika Hysi është përzgjedhur për drejtuar Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Ndërsa diplomacinë shqiptare në kryeqytetin e Austrisë, Vienë pritet ta drejtojë ish deputeti socialist Fate Velaj.
Ervin Bushati ish deputet dhe ish drejtues i PS Tiranë, është favorit për të zëvendësuar ambasadoren Floreta Faber në SHBA.
Procesi emërimit të ambasadorëve të rinj nis me propozimet e Ministrisë të Europës dhe Punëve të Jashtme, të cilat marrin aprovimit të kryeministrit i cili ia dërgon kuvendit.
Të gjithë të propozuarit për ambasador zhvillojnë dëgjesa në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme. Pas miratimit nga ky komision, i vjen radha dekretimit nga presidenti Bajram Begaj.