Kryesuesi i listës së këshilltarëve të bashkisë së Tiranës nga koalicioni Bashkë Fitojmë, Ilir Alimehmeti, i ftuar në Fax News ka folur në lidhje me planin e Belind Këlliçit për të mbështetur personat me aftësi të kufizuar.
Sipas Alimehmetit, bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj, jo vetëm që sju ka ardhur në ndihmë këtyre kategorive në nevojë, por edhe ju ka shembur ambientet e zyrave duke i diskriminuar më tej, dhe duke i dërguar në një zonë ku ata e kishin të pamundur aksesin.
“Jetojmë në një shtet shumë të varfër, imagjino për shtresat që kanë nevoja të veçanta, me aftësi të kufizuara.
Bashkia është e detyruar që të pajisë me zyra shoqatat e invalidëve tetra dhe paraplegjikë, ndërkohë që dhe zyrën që kishin në zonën e Laprakës ua ka shembur Bashkia me çfarë ka pasur brenda.
Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi kërkon që të vendoset në vend e drejta e shkelur ndaj kësaj kategorie, brenda një afati 30-ditor. Bashkia Tiranë në vend që të shkojë dhe të kërkojë falje, shkon dhe bën kërkesë padi ndaj shoqatës së invalidëve dhe komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi.
Sot e kësaj dite këta njerëz janë pa një ambient për zyrat e tyre. Sa pak i kushton Bashkisë së Tiranës një pajisje akustike për të kaluar në semaforë, se si mund ti gjejë ndryshe një person që ka probleme me shikimin se ku janë vijat e bardha dhe semaforët”, tha Alimehmeti.\