I dërguari i SHBA-ve, James Rubin: Ballkani Perëndimor i helmuar nga dezinformatat ruse

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor janë “helmuar mjaft seriozisht” nga fushatat propagandistike të Rusisë.

Sipas tij, burimi kryesor i kërcënimit në këtë rajon është dezinformimi i gjeneruar nga Rusia, i cili shpesh përsëritet dhe vepron si qendër përmes platformave të mediave serbe dhe më pas përsëritet dhe në Ballkanin Perëndimor.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi emërimin e Rubin, një diplomat veteran 63-vjeçar, dhjetorin e kaluar, i shqetësuar se fushatat e dezinformimit të krijuara nga Rusia ishin intensifikuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe mbështetjes perëndimore për Kievin.

“Presidenti rus Vladimir Putin mendoi se ai mund të merrte qeverinë ukrainase dhe të ndante Evropën. Ai dështoi në të gjitha këto aspekte”, tha Rubin.

Një deklaratë nga Ambasada e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut tregoi se Rubin diskutoi gjithashtu përpjekjet e Kinës “dhe aktorëve të tjerë keqdashës që përdorin dezinformata për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë globin”.

Dy ditë më parë nga Mali i Zi ai siguroi se vendi nuk do të kthehet sërisht kah Beogradi dhe Moska.

“Pasi bisedova me zyrtarë malazezë dhe liderë partiak, jam i bindur se Mali i Zi nuk do t’i drejtohet më Beogradit dhe Moskës”.

Rubin ka theksuar se nëse dezinformimi rus dominon në Ballkanin Perëndimor, atëherë do të jetë vështirë të arrihet përparim.

“Besoj se lufta kundër dezinformatave do të jetë prioritet i qeverisë së re në Mal të Zi. Në Mal të Zi ka një sërë portalesh që përhapin dezinformata nga Rusia dhe Kina”.

Ai beson se Mali i Zi ka një të ardhme më të mirë sepse është anëtar i NATO-s dhe pritet të jetë pjesë e BE-së në të ardhmen.

Në ndalesën e tij të fundit në Tiranë, Rubin do t’i bashkohet takimeve me ambasadorët e SHBA-ve nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Rubin që në të kaluarën ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit dhe ka qenë i angazhuar gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë.

Ai ka mbrojtur me zell vendimin për ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare ndaj forcave serbe në Kosovë.

Për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës, më 2013, Kosova i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave.

Latest articles

Related articles