Bardhi për opozitën e përçarë në zgjedhje: Kush nuk do bashkimin, i shërben kokë e këmbë Edi Ramës

spot_img
Advertisements

Gazment Bardhi është i qartë se çfarë rezultati do të ketë opozita në zgjedhje, nëse nuk del e bashkuar me 1 kandidat me logon e PD. “Personalisht do ta quaja një shans të humbur të opozitës zgjedhjet 2023, nëse nuk shkohet me kandidatë të unifikuar. Për fat të keq është e qartë se çfarë do të ndodhë në zgjedhje. Do të jenë zgjedhje ku betejën demokratët do ta kenë mes vetes dhe fituesi i madh do të jetë Edi Rama.“- i tha zoti Bardhi gazetares Elona Meço gjatë intervistës në emisionin “Pa Censurë”. Ai nuk heq dorë nga misioni gati i pamundur për kandidatët e unifikuar, por paralajmëron se një rezultat i ndryshëm i shërben vetëm Edi Ramës. “Personalisht dhe bashkë me kolegët do të bëj gjithçka që të shkojmë të unifikuar në zgjedhje. Nuk dua kurrë të mendoj që niveli i papërgjegjshmërisë në raport me PD dhe demokratët ka arritur deri në atë fazë sa të kërkosh votën e një socialisti dhe të mos arrish të bashkosh demokratët. Nëse betejat me kundërshtarin i kthen në beteja të brendshme në PD je thjesht i papërgjegjshëm, je duke i shërbyer kokë e këmbë Edi Ramës”- tha Gazment Bardhi. Për Sekretarin e Përgjithshëm të PD zyrtare nuk ka rëndësi nëse dalin të dytët apo të tretët në zgjedhje me një opozitë të përçarë. “Humbës është si i dyti, si i treti. Nëse qëllimi është të tregojmë se kush është i dyti dhe i treti, vazhdojmë kështu, por fitues do të jenë kandidatët e Edi Ramës. Nëse sillemi kështu, lëmë Edi Ramën në pushtet në mënyrë të përjetshme”- u shpreh zoti Bardhi, sipas të cilit shumica dhe pakica në PD përcaktohet në procese të brendshme brenda PD, pra në procese zgjedhore me votë brenda institucioneve të PD.

Latest articles

Related articles