Faktet thuhet se janë ‘kokëforta’. Shifrat tregojnë se Shqipëria po tkurret vit pas viti, kurse vendet e BE-së nga nevoja për fuqi punëtore po popullohen vazhdimisht me shtetas shqiptarë. Për politik-bërësit ka ardhur koha që të jepet llogari ose të mbahet përgjegjësia e duhur. Pse Shqipëria është një vend gjithnjë e më pak i preferuar për të jetuar dhe për të punuar nga vetë shqiptarët, krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Europës? “Patriotët” që shpalosin hartat e Shqipërisë së madhe nga Danubi në Egje duhet të kuptojnë se Shqipërinë e vogël po e braktisin masivisht vetë shtetasit shqiptarë, kryesisht njerëzit e ndershëm, të cilët janë lënë për vite me radhë jashtë garës dhe jashtë një sistemi të kontrolluar politiko-ekonomik dhe pikërisht zhgënjimi besohet se është ai që i detyron të mos mendohen dy herë, kur u vjen mundësia për ndërrimin e shtetësisë.
Shqetësimi vjen si një ‘kambanë alarmi’ për vendin tonë, prej të cilit nga njëra anë largohen njerëz të punës, të talentuar, dhe qytetarë të denjë të Europës, dhe nga ana tjetër mbeten njerëz të korruptuar, të paarsimuar por të punësuar “në nivele të larta strategjike”, që shërbejnë për të demotivuar dhe larguar njerëzit e punës. Dhe nga jashtë vendit dëbohen dhe rikthehen në Shqipëri kryesisht të dënuar, me aktivitete të rënda kriminale.
Është koha për reflektim të thellë, para se të jetë vonë. Çfarë i bën shqiptarët të largohen nga vendi i tyre, të kërkojnë azil, shtetësi apo të gjejnë një vend tjetër për të punuar dhe jetuar?
Në vitin 2021, sipas të dhënave të fundit të Eurostat, 827.000 persona morën shtetësinë e shtetit një anëtar të BE-së, ku edhe jetonin, një rritje prej rreth 14% (+98.300 persona) krahasuar me vitin 2020. Marokenët sipas Eurostat ishin grupi më i madh që përfituan nënshtetësi të një vendi anëtar të BE-së (86.200 vetë), ndjekur nga sirianët (83.500) dhe vendin e tretë e mbanin shqiptarët (32.300). Për nga pesha specifike e popullsisë, Shqipëria, një vend me 2.8 milionë banorë sipas censusit të fundit, mban vendin e parë në botë për braktisjen e atdheut nga qytetarët e saj.
Shtetasit nga Maroku, një vend me 37 milionë banorë dhe i pozicionuar gjeografikisht në pjesën veriore të Afrikës, si dhe nga Siria, vend me 22 milionë banorë dhe prej vitesh në luftë, ishin më të shumtë nga vendet e treta që morën nënshtetësi të një vend të BE-së, por sipas shifrave zyrtare, nuk përbënin as trefishin e shqiptarëve të cilët i ndjekin nga pas. Vendet e tjera më të përmendura pas Shqipërisë në 10-shen e parë në listë, të cilët kanë zgjedhur të bëhen qytetarë të një vendi tjetër të BE-së, kanë një popullsi minimalisht mbi 10-fishin tonë me përjashtim të rumunëve, vendi ballkanas me rreth 20 milionë banorë, Turqia me 60 milionë dhe Brazili me 180 milionë. Më tej vijnë Algjeria 44 milionë, Ukrainë 44 milionë por edhe në luftë, ashtu si Rusia me 145 milionë dhe Pakistani 231 milionë banorë.
Janë rreth 554 mijë shtetas shqiptarë që janë larguar nga vendi, duke arritur që të pajisen me pasaportë në një nga vendet e Bashkimit Europian që prej vitit 2002, sipas të dhënave të bëra publike nga Eurostat. Numri më i madh i pasaportave për shqiptarët është lëshuar në vitin 2016, rreth 67.5 mijë. Italia dhe Greqia, dy destinacionet tradicionale të emigrantëve shqiptarë pas ‘90, janë vendet e para nga BE për sa i përket numrit të pasaportave që lëshuan për qytetarët shqiptarë. Italia ka dhënë gjithsej 274 mijë shtetësi për periudhën 2002-2021, ose 49% e totalit. Në pesë vitet e fundit, Italia ka dhënë mesatarisht 22-27 mijë shtetësi në vit për shtetasit shqiptarë. Greqia ka dhënë 237 mijë, ose 42.7% të totalit. Greqia ka ulur ndjeshëm numrin e qytetarëve në vitet e fundit, duke dhënë vetëm 7.7 mijë në 2021, nga 29 mijë në 2017. E treta është Mbretëria e Bashkuar, rreth 12 mijë, por të dhënat për këtë vend raportohen deri në vitin 2019. Gjermania ka rritur dhënien e shtetësive vitet e fundit, duke u renditur e katërta me rreth 8,000 qytetarë. Pas tyre vjen Belgjika (7 mijë) dhe Franca rreth 5 mijë).
Për vitin 2021, sipas Eurostat, rritjet më të mëdha të pranimeve të shtetasve të huaj u regjistruan në Francë (+43 900 shtetësi franceze të dhëna krahasuar me vitin 2020), Gjermani (+18 800), Spanjë (+17. 700), Suedi (+9. 200) dhe Austri (+7. 200). Në të kundërt, uljet më të mëdha u vunë re në Itali (-10. 300 shtetësi italiane të dhëna krahasuar me vitin 2020), Portugali (-7.600), Greqi (-3. 200), Finlandë (-1.200) dhe Qipro (-800). Në total ishin 10 vende të BE-së që shënuan ulje të numrit të shtetësive të dhëna.
Ashtu si në vitin 2020, shumica (85%) e atyre që morën nënshtetësinë e një shteti anëtar të BE-së në vitin 2021 ishin më parë shtetas të një vendi jo anëtar të BE-së ose pa shtetësi. Shtetasit e një vendi tjetër të BE-së përbënin 13% të numrit të përgjithshëm të shtetësive të fituara. Më 1 janar 2022, qytetarët e BE-së përfaqësonin 94.6% të popullsisë së BE-së. Shkalla e natyralizimit është raporti i numrit të personave që kanë fituar nënshtetësinë e një vendi gjatë një viti ndaj stokut të rezidentëve jo-shtetas në të njëjtin vend, në fillim të vitit.
Në vitin 2021, shkalla më e lartë e natyralizimit midis vendeve të BE-së u regjistrua në Suedi, me 10.0 shtetësi të dhëna për 100 rezidentë jo-shtetas. Suedia pasohej nga Holanda (5.4), Rumania (4.6), Portugalia (3.7) dhe Belgjika e Spanja (me nga 2.7). Në anën tjetër, normat e natyralizimit nën 1 fitim të shtetësisë për 100 rezidentë jo-shtetas u regjistruan në Lituani (0.2), Letoni (0.3), Estoni (0.5) dhe Çeki, Kroaci dhe Sllovaki (të gjithë 0.7).